Ministri Aliu pas seancës: Aktakuza s’ka bazë, kam mbrojtur pronën publike
Aliu ka thënë se në atë zonë ishte paraparë ndërtimi i një shkolle dhe po të lëshonte leje për ndërtimin e ndonjë objekti individual atëherë do të kishte bazë për aktakuzë.
“Ajo çfarë kemi bërë ne, unë si drejtor atëherë në Drejtorinë e Urbanizmit, kam bërë veprim të drejtë, kam mbrojtur interesin publik. Këtë rast në Prishtinën e Re, zona perëndim, të ketë shkollë, siç parasheh plani. U prezantuan gjitha provat, ku që të jepet një leje duhet bazuar në plan. Ne jemi bazuar në plan. Plani është aprovuar nga Kuvendi Komunal, është vërtetuar ligjërisht nga organet siç e parasheh ligji. Janë të vërtetuara ligjërisht, nuk ka mundësi tjetër që Drejtoria e Urbanizmit të jep leje ndryshe. Kemi zbatuar ligjin. Dhe pretendimet e Prokurorisë në këtë rast, se është dashur të japim leje, në këtë rast po të vepronim ndryshe, atëherë do të kishte bazë për aktakuzë. Aktakuza nuk ka bazë, kemi zbatuar ligjin, kemi mbrojtur interesin publik e pronën publike”, tha Aliu.
Ndërsa Avokati i Aliut, Fatlum Podvorica tha se aktakuza është ngrit pas dy vjetësh, derisa tha se ka bazë ligjore për hedhjen e saj.
“Në rastin konkret kallëzimi penal është ngritur nga Dan Imeri, që i bie se aktakuza është ngrit pas dy vite e dy muaj dhe në rastin konkret ka bazë ligjore për hudhje të aktakuzës si të paafatshme”.
Avokati i Aliut pretendon se aktakuza është ngritur pas afatit ligjor
Sipas tij në shkrimore del që masa e përkohshme tashmë është larguar, por ende nuk është vendosur për kontestin.
Ai po ashtu ka pretenduar se është ngritur aktakuza pas afatit ligjor.
Podvorica thotë se aktakuza është ngritur dy vjet e tre muaj pasi Dan Imeri ka ushtruar kallëzim penal për Aliun dhe të tjeret ndërsa ligjërisht, Prokuroria ka kohë dy vjet për ngritjen e aktakuzës. Ai ka kërkuar që aktakuza të hidhet si e pasafatshme.
I akuzuari Liburn Aliu ka filluar t’i sqarojë procedurat e miratimit të planit urban por që gjyqtari e ka ndërprerë me arsyetimin që ‘nuk je kompetent për këtë gjë’.
Ai ka thënë se refuzimi i kërkesës është sepse Dan Imeri ka kërkuar ndërtim individual banimi ndërsa me planin rregullues urban parashihet shkollë, ambulancë dhe çerdhe
Avokati Arber Istrefi që e përfaqëson të akuzuarin Ardian Ollurin, ka thënë se aktakuza në fjalë e ngarkon Ollurin se i njëjti paska vepruar në kundershtim me interesin individual. Pra sipas tij, aktakuza e vë interesin individual para interesit publik.
Avokati Destan Rukiqi, që mbron Bahtie Ukën, ka thënë se nëse vendoset të mbahet shqyrtimi gjyqësor atëherë duhet të ftohet si dëshmitar Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se gjykata nuk duhet ta pranojë si dëshmi një CD që prokurorja ua ka bashkangjitur. Sipas tij në këtë CD, janë dy deklarata të dhëna në KTV, një nga Liburn Aliu dhe një tjetër nga këshilltari i Shpend Ahmetit.
Avokati i të akuzuares Mimoza Berisha-Prestreshi, Florin Vertopi ka thënë që Dan Imeri e ka iniciuar këtë kallëzim penal e ka bërë pa autorizim nga personat e tjerë.
Sipas tij ai thirret si përfaqësues të lagjes por në kallëzim penal nuk është fare autorizimi. Qysh në fillim sipas tij prokuroria është dashur ta hedhë poshtë këtë kallëzim penal.
Prokurorja e rastit Dulina Hamiti ka thënë që aktakuza është e mbështetur në prova dhe dëshmi të cilat ka propozuar që të shqyrtohen gjatë afatit ligjor.